Ndeshja derbi e javës së 14-të në Ligue 1 midis Olimpik Lion dhe Olimpik Marsej u ndërpre pas katër minutash, pasi ylli i skuadrës mysafire, Dimitri Payet u godit me shishe në kokë dhe skuadrat u futën në dhomat e xhveshjes.
Mesfushori nuk mund të vazhdonte me lojë e as nuk dëshironte, pas asaj që i ndodhi. Në fund u vendos që takimi derbi i së dielës të ndërpritej.
Tashmë Komisioni i Disiplinës i LFP është mbledhur dhe ka vendosur që ngjarja e ndodhur të kalojë në hetim të plotë dhe stadiumi i Lion do të jetë i mbyllur deri në masën përfundimtare.
Kështu fillimisht Lion do të luajë pa tifozë në sfidën kundër Ren më 1 dhjetor, ndërsa vendimi final merret me 8 dhjetor.
Komisioni Disiplinor do të vendosë atë ditë në lidhje me përgjegjësinë e Lion në ngjarjen e ndodhur, sikurse edhe për fatin e ndeshjes.