Marash Kumbulla mund të marrë frymë i qetë. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i larguar nga fusha e lojës që në minutat e para të sfidës ndaj Anglisë, duket se nuk ka një dëmtim që do ta lërë për një kohë shumë të gjatë larg fushave të futbollit.
Lojtari është kthyer që dje në Itali, duke mos udhëtuar drejt Shqipërisë, për t’iu nënshtruar kontrollove të hollësishme pas problemeve fizike që kishte në duelin në “Uembli”.
Gjatë ditës ai ka kryer teste të hollësishme në kryeqytetin italian dhe sipas mediave të atjeshme, për fat të mirë situata ka rezultuar jo aq shqetësuese.
Raportohet se shqetësimi i Kumbullës është vetëm muskulor dhe do të vlerësohet ditë pas dite, por nuk ka as tërheqje e as këputje, që mund të zgjatnin në mënyrë të theksuar kohën e rikuperimit të mbrojtësit.
Kësisoj, mendohet se ai mund të jetë i gatshëm për Romën që nga java e ardhshme.