I ardhur vetëm këtë verë te Tirana, Ennur Totre është përshtatur më së miri me kampionatin shqiptar dhe është shndërruar në një pikë mjaft të rëndësishme të formacionit të “bardhebluve” të drejtuar nga Orges Shehi.
Këtë e konfirmon më së miri edhe performanca e mesfushorit nga Tetova në derbin e kryeqytetit shqiptarë kundër Partizanit, teksa siç zbulohet nga statistikat e publikuar në emisionin “Analizë Superiore”, ka qenë një nga futbollistët me rendimentin më të lartë.
Mesfushori ka marrë pjesë në 42 duele dhe ka arritur të fitojë 23 prej tyre, ose 51% të totalit, një mesatare mjaft e mirë kjo, ndërsa vlen të theksohet edhe numri i lartë i topave të rikuperuar. Plot 12 topa ia ka dalë të rikuperojë Totre, në një derbi që u karakterizua nga një luftë e fortë dhe shumë gabime nga të dy palët në fushë.
Gjithashtu Totre ka tentuar 7 herë driblimin dhe ia ka dalë me sukses në 5 raste, duke dëshmuar një mesatare mjaft të mirë edhe në këtë rast, aq më tepër kur bëhet fjalë për një mesfushor polivalent, të cilin Shehi e aktivizon në pozicione të ndryshme të atij reparti.