Shqipëria të martën kundër Polonisë zhvillon një ndër ndeshjet më të rëndësishme në kuadër të ciklit eliminatorë për Botërorin “Qatar 2022”, ndërsa për këtë përballje trajneri Edi Reja do të duhet ti bëjë llogaritë pa Berat Gjimshitin, titullarin e padiskutueshëm në mbrojtjen “kuqezi”.
Mbrojtësi i Atalantas pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen e fundit ndaj Hungarisë, ndërsa vendin e tij në vijim të takimit e zuri Frederik Veseli, që bëri një ndeshje të kënaqshme.
Mbrojtësi nuk ka minuta në këmbët e tij, po përsëri Reja i besoi ndaj Hungarisë dhe me shumë mundësi mund të jetë ai që do të luajë edhe ndaj Polonisë, edhe pse alternativë mbetet edhe Enea Mihaj.
Pjesa tjetër e mbrojtjes mendohet që të jetë e njëjta, me Kumbullën, Ismajlin, Hysajn dhe Trashin.
Në mesfushë mungon Çekiçi për shkak kartonësh dhe titullar pritet që të jetë tetovari, Nedim Bajrami. Fantazisti u aktivizua në pjesën e dytë ndaj Hungarisë dhe i dha një tjetër fytyrë sulmit.
Bare dhe Gjasula pritet që sërish të rreshtohen në mesfushë, ndërsa sa i përket sulmit, Armando Broja e ka futur në dilemë Rejën pasi në pak minuta të luajtura është bërë vendimtar. Megjithatë Reja ëshët i mendimit që Broja sërish të inkuadrohet në lojë nga bankina, duke shfrytëzuar shpejtësinë e tij në pjesën e dytë, kur kundërshtari është i lodhur.
Kështu sërish titullarë në sulm pritet që të jenë Myrto Uzuni dhe Sokol Cikalleshi.