Ndeshjet e javës së 10-të në elitën e futbollit vendor do të zhvillohen në një termin të ri dhe jo atë të zakonshmin, ditën e diel, njofton “infOSport.mk”.
Kjo javë do të zhvillohet në dy ditë, edhe atë duke filluar që nga e premtja (15 tetor) me ndeshjen Rabotniçki – Skopje, për të vijuar më pas të shtunën me 5 ndeshje të tjera.
Deri te ky ndryshim vjen për shkak se të dielën në vendin tonë do të mbahen zgjedhjet lokale, teksa të gjitha ndeshjet do të nisin në ora 14:00.
Lideri aktual, FC Shkupi do të udhëtojë për në Kavadar, ku do të përballet me Tikveshin, Renova e vendit të dytë do të jetë nikoqir i Pelisterit në Tetovë, derisa Shkëndija do të ketë një transfertë të vështirë në Strumicë përballë Akademia Pandev.
Struga Trim Lum pas tre ndeshjeve pa fitore ka mundësinë e mirë për të kapur një seri të re të rezultateve pozitive përballë Borecit, derisa në Shtip Bregallnica që nuk njeh disfatë si vendas do të ndajë mejdanin me Makedonija GJ.P., që në anën tjetër nuk ka marrë asnjë pikë në ndeshjet si mysafir.