Skuadra e Besës nga Dobërdolli ka gjetur zëvendësuesin e Mensur Jakupit, njofton “infOSport.mk”. Trajner i ri te skuadra shqiptare që garon në Ligën e Dytë – Perëndim do të jetë Bujar Islami, i cili së fundmi ishte pjesë e Renovës.
Strategu 42-vjeçar dy edicione më parë me Renovën kishte siguruar Europën, duke kaluar madje edhe raundin e parë të Liga Europa, duke eliminuar ekipin e Alashkert, që më pas në raundin e dytë të eliminohet nga gjigandët kroat të Hajdukut.
Islami debutimin e tij në bankinën e Besës së Dobërdollit do ta ketë me 16 tetor kundër Veleshtës.
Besa e Dobërdollit pas 6 xhirove të para në Ligën e Dytë – Perëndim renditet në pozitën e 6-të me 7 pikë të tubuara. (infOSport.mk)