Franca falë përmbysjes spektakolare që bëri ndaj Belgjikës, ka siguruar një vend për në finalen e madhe të Ligës së Kombeve, ku do të luaj kundër Spanjës së Luis Enrikes, njofton “infOSport.mk”.
“Gjelat” kanë mposhtur me përmbysje 3:2 Belgjikën në gjysmëfinale, duke siguruar praninë në ndeshjen për trofeun.
Ndeshja ishte e luftuar nga të dyja kombëtaret, por Belgjika u duk më kërkuese në pjesën e parë. Si pasojë e insistimit të belgëve, erdhën dy gola të shpejtë me anë të Karraskos dhe Lukakut, të cilët në fundin e pjesës së parë lanë të mendohej se “djajtë e kuq” do të shkonin qetësisht në përballjen me Spanjën.
Por gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë të sfidës, kur Franca hyri me një ritëm tjetër në fushë dhe tentoi disa herë të gjente barazimin.
Benzema ia doli që të shënonte një gol mjeshtëror, e më pas Mbape falë një penalti të përfituar përmes VAR, barazoi rezultatin duke hapur plotësisht sfidën.
VAR u aktivizua edhe në minutën e 87-të, kur anuloi golin e Romelo Lukakut për shkak pozitës jashtë loje, ndërsa në anën tjetër Pogba goditi traversën pas një goditje dënimi.
Gjithsesi, goli i fitores erdhi në minutën e 90-të nga prapavija, kur pas një aksioni të gjatë, Teo Hernandez dërgoi sferën në rrjetë me një goditje të fortë në hyrje të zonës për t’i siguruar finalen skuadrës së tij.
Ndeshja finale midis Spanjës dhe Francës në program është të dielën (10 tetor) me fillim në ora 20:45, ndërsa po të njëjtën ditë me fillim në ora 15:00 do të luhet ndeshja për vendin e tretë, Itali – Belgjikë.