Kampioni i Botës në boks, Tajson Fjuri e ka paralajmëruar Deontej Uillderin se do ta nokautojë në luftën e së shtunës për titullin e botës në kategorinë e rëndë, duke thënë se boksierit amerikan i kanë mbaruar arsyetimet.
Fjuri dhe Uillder do të takohen në Las Vegas të shtunën në një luftë në të cilën boksieri britanik do ta mbrojë titullin e botës ËBC për herë të parë.
Kjo do të jetë lufta e tretë mes tyre, me luftën e parë që doli të mbyllet me barazim, dhe luftën e dytë në të cilën Fjuri e rrahu keq Uillderin në rimeçin e shkurtit të vitit 2020 për t’ia rrëmbyer titullin e botës.
Në konferencën e fundit për media para trilogjisë, Fjuri këmbënguli se trashëgimia e Uillderit është e njollosur.
“Ti nuk mund ta pranosh të vërtetën dhe do të të nokautoj. Bëji vetes një nder dhe pensionohu nga boksi. Trashëgimia juaj në boks është e njollosur”, i tha Fjuri kundërshtarit të tij Deontej Uillder në konferencën e së mërkurës.
“Të gjitha arsyetimet tuaja janë shkatërruar. Ti je njeri i lig”, shtoi ai.
Uillderi kishte bërë një varg arsyetimesh pas humbjes së titullit të botës ndaj Fjurit në vitin 2020.
Pas humbjes, amerikani ishte ankuar se kostumi me të cilin ishte futur në ring, kishte ndikuar në gjendjen e tij fizike në meç.
Më vonë, ai e akuzoi Fjurin se kishte bërë hile për ta mposhtur, gjoja duke futur objekte të forta në dorëza për ta mposhtur atë më lehtë.