Sonte do të luhet gjysmëfinlja e parë e Ligës së Kombeve midis Italisë dhe Spanjës.
Siç raportojnë mediat e huaja, trajnerët duket se kanë shumë pak dyshime mbi formacionet startuese që do të hedhin në fushë.
Përsa i përket Italisë portën do ta mbrojë gardiani i Paris Sen Zhermen, Donaruma, i cili në këtë mënyrë do të rikthehet për herë të parë të luaj në “San Siro” që pas largimit nga Milani.
Para tij në qendër të mbrojtjes do të rreshtohen Bonuçi dhe Bastoni, të cilët do të ndihmohen në krah nga Di Lorenco dhe Emerson.
Mesfusha do të jetë e njëjta si në europian me treshen, Barella, Zhorzhinjo dhe Verrati.
Përsa i përket mungesave në sulm Mançini duket se ka vendosur të luaj pa një sulmues të deklaruar. Insinje do të vendoset në krye të sulmit me Kiezan dhe Pellegrinin, që do të rreshtohen në dy linjat anësore të repartit.
Ndërkohë në anën tjetër trajneri Luis Enrike në portë do të vendos sërish Unai Simon.
Katërshja e mbrojtjes do të përbëhet nga Pau Torres dhe Laporte në qëndër, ndërkohë që vijën anësore do ta mbrojnë Azpilikueta dhe Reguilon.
Në treshen e mesfushës, Buskets do të qëndroj përpara mbrojtjes me Koke dhe Mikel Merino, që do të mbulojnë dy pozicionet e tjera në mesfushë, derisa sulmi do të përbëhet nga treshja Ferran Torres, Sarabia dhe Ojarzabal.
Kështu Spanja do të shkojë në Milano për të marr hak ndaj Italisë pas humbjes që i shkaktoi në gjysmëfinalen e Euro 2020. Italia nga ana tjetër kërkon të konfirmojë edhe një herë ecurinë pozitive dhe epitetin e kampionit të Europës.