Dita e tretë e grumbullimit dhe Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet para ndeshjes shumë të rëndësishme kundër Hungarisë.
Dje është zhvilluar një stërvitje me intensitet të plotë. Nën drejtimin e trajnerit Edi Reja, skuadra “kuqezi” ka mbyllur stërvitjen e dytë, ku është punuar me një ngarkesë të lartë dhe më shumë se një orë.
Ardian Ismajli, i cili nuk është i gatshëm 100% dhe vuan nga një lëndim i lehtë, ditën e parë u stërvit veçmas, por dje i është bashkuar grupit duke zhvilluar stërvitje normalisht. Pritet të shohim se si do të jetë gjendja e lojtarit deri ditën e ndeshjes.
Lajm i mirë është që nuk ka asnjë dëmtim në radhët e ekipit përfaqësues dhe gjithçka po shkon normalisht.
Atmosfera duket e mirë, grupi është i karikuar dhe ka vend edhe për moment gazmore mes njëri-tjetrit.
Sa i përket formacionit janë disa dilema që e shqetësojnë trajnerin Reja, duke filluar që nga porta, ku italiani duhet të zgjedhë një mes dy portierëve.
I avantazhuar është Berisha, pasi ka qenë titullar edhe në sfidat e shtatorit. Dyshimi tjetër është Ismajli, nuk dihet nëse do të jetë në dispozicion, por është Mihaj me Dermakun që presin shanset e tyre për t’u aktivizuar.
Mesfusha është reparti më i qartë, ku Balliu, Bare, Gjasula, Hysaj me shumë mundësi do të jenë ata që do të hidhen në fushë. Ndërsa në treshen para Nedim Bajrami është një hap përpara të tjerëve, pasi cilësohet nga Reja si ai që do të formojë sulmet e kuqezinjve.
Gjithashtu, Uzuni, forma e të cilit duhet shfrytëzuar nga Kombëtarja dhe mendohet të jetë pjesë e formacionit. Në majë të sulmit alternativat janë Cikalleshi, Broja, Balaj. Reja duhet të zgjedhë njërin mes tyre. Kombëtarja do të jetë në Durrës deri ditën e enjte dhe stërvitja e fundit para ndeshjes do të zhvillohet të premten pasdite në “Puskas Arena”.