Atalanta u zgjua vonë nga gjumi, Milani merr edhe një fitore tjetër të madhe (VIDEO)

Atalanta u zgjua shumë vonë nga gjumi, pasi Milani veçmë kishte siguruar fitoren pas 85 minutave lojë, kur avansonte me shifrat 3:0. Atalanta provoi të rikthehet në lojë me golin e Duvan Zapata në minutën e 86-të nga penaltia dhe një tjetër të kroatit Mario Pashaliç në minutën e 94-të, mirëpo nuk kishte më kohë, ashtu që skuadra e Piolit regjistroi fitoren e 6-të nga gjithsej 7 ndeshje të zhvilluara, me ç’rast kjo skuadër sërish rikthehet në pozitën e dytë, menjëherë pas Napolit të Amir Rrahmanit, i cili shënoi sot në fitoren e “napolitanëve” 1:2 ndaj Fiorentinës në Firencë.

Ndryshe fitoren e Milanit sonte në Bergamo e paralajmëroi Davide Kalabria vetëm pas 30 sekondash lojë, kur mposhti portierin vendas Musso, ndërsa falë golit të Sandor Tonalit në minutën e 43-të, skuadra nga Milano në pushim shkoi me epërsinë 2:0.

Rafael Leao në minutën  e 78-të shënoi golin më të bukur të takimit, kur me një goditje nga jashtë zonës dërgoi topin lartë në cepin e portës.

Ky gol solli shumë gëzim në mesin e futbollistëve “kuqezinjë”, ndërsa në fund bëri edhe diferencën, pasi Atalanta me dy gola tentoi të surprizojë Milanin, mirëpo golat e Zapata dhe Pashaliç në fund dolën të jenë vetëm për statistikë, pasi skuadra e Piolit morri edhe 3 pikë shumë të rëndësishme në garën e gjatë për titullin e kampionit.

Pas 7 xhirove të kaluara, Milani me 19 pikë mban pozitën e dytë, derisa Napoli i Amir Rrahmanit dhe Elif Elmazit me 21 pikë mban pozitën e parë. Në anën tjetër Atalanta e Berat Gjimshitit, i cili luajti për 90-të minuta kundër Milanit, me 11 pikë renditet në pozitën e 8-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply