Interi ka marrë 3 pikë shumë të vështira në transfertën ndaj Sassuolos, duke mundur këtë skuadër me shifrat 2:1, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Simone Inzaghit nuk e pati aspak të lehtë sonte përballë Sassuolos, skuadër kjo që avansoi e para në këtë takim pas 22 minutash lojë.
Skriniar shkaktoi penallti dhe Berardi nuk fali, 1:0 për Sassuolon.
Handanoviç gjithsesi ishte vendimtar me pritje të tjera, pasi pati jo pak punë kundër Sassuolos, sidomos në fillimin e pjesës së dytë, kur thjesht luajti rolin e heroit të “zikaltërve”, duke mbajtur këtë skuadër në lojë.
Zgjidhja ishte Edin Xheko, i cili nderoi trajnerin e tij vetëm pas një minute të kaluar në fushë, pasi në të 58-të barazoi shifrat në 1:1.
Harkimin perfekt të Ivan Perishiç, sulmuesi boshnjak e shfrytëzoi dhe me kokë shënoi golin e barazimit.
Ky gol bëri që motivimi të shtohet tek futbollistët e Interit, të cilët në minutën e 78-të përfituan një penalti, të cilën në gol e shndërroi Lautaro Martinez.
Deri në fund të takimit, Interi gjeti edhe golin e tretë me anë të Edin Xhekos, mirëpo i njëjti në minutën e 82-të u anulua për shkak pozitës jashtë loje.
Tre pikë, në një ndeshje të vuajtur për Interin, që tashmë me 17 pikë renditet në pozitën e dytë, menjëherë pas Napolit që ka 18 pikë dhe një ndeshje më pak, ndërkohë Milani me 16 pikë renditet në pozitën e tretë.
“Rossonerët” nesër mbrëma do të ketë një transfertë të vështirë në Bergamo kundër Atalantas së Berat Xhimshitit. (infOSport.mk)