Ivan Balliu rikthehet në kombëtare pas dy vite e gjysmë. Mbrojtësi i krahut do të jetë në dispozicon të stafit teknik për kualifikuesen me Hungarinë që do të luhet në transfertë me 9 nëntor dhe takimin me Poloninë që do të zhvillohet tre ditë më vonë në “Air Albania Stadium”.
Trajneri Edi Reja e ftoi 29-vjeçarin edhe për ndeshjet e shtatorit, por ai i komunikoi se nuk ishte mirë fizikisht, duke e sqaruar se kishte probleme me pubalgjinë.
Gjithsesi Balliu ka hedhur pas krahëve problemet fizike dhe ka shfaqur një formë të mirë në ndeshjet e fundit.
Burime për Ora Neës bëjnë me dije se mbrojtësi, i cili aktivizohet në sallonet e mëdha të futbollit spanjoll, ka marrë ftesën e teknikut italian dhe ka konfirmuar prezencën.
29-vjeçari është risia e Rejës për dy kualifikueset e radhës. Në këtë sezon Balliu është aktivizuar në 7 ndeshje me Rajo Valjekanon në La Liga, duke dhënë edhe një asist në fitoren 3:1 ndaj Kadiz.
Balliu do të stërvitet për herë të parë nën urdhrat e trajnerit Reja, teksa ndeshja e tij e fundit më Shqipërinë ishte ajo e 22 marsit të vitit 2019 kundër Turqisë, takim në të cilin “kuqezinjtë” u mposhtën 0:2 në Shkodër. Në atë kohë kombëtarja shqiptare udhëhiqej nga Kristian Panuçi.