Seleksionuesi i përfaqësueses së shpresave të vendit në futboll, Dragan Kanatllarovski ka zbuluar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e tetorit, të vlefshme për eliminatoret e Europianit të vitit 2023, njofton “infOSport.mk”.
Maqedonia U21 me 7 tetor do të luajë ndaj Ishujve Faroe, ndërsa me 12 tetor do të përballet me Armeninë në Jerevan.
Në mesin e 24 futbollistëve të ftuar, 17 prej tyre vijnë nga kampionati vendor. Habit fakti se në mesin e ftuarve nuk ka asnjë nga rradhët e Shkëndijës, por edhe Renovës, ndërsa FC Shkupi dhe Struga Trim Lum kanë nga dy përfaqësues.
Kanatllarovski duke folur për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit ka ngritur shqetësimin për mungesat e shumta që do të ketë në prag të ndeshjeve të tetorit. Një ndër mungesat e rëndësishme, pa dyshim se është edhe futbollisti shqiptarë, Agon Elezi.
“Për këto dy ndeshje eliminatore jemi të detyruar të bëjmë ndryshime në ekip. Po përballemi me probleme, pasi kemi mungesë të futbollistëve standart. Metju Bozhinovski dhe Stefan Çolakovski për shkak karantinimit në Australi nuk do të kenë mundësi të udhëtojnë. Agon Elezi për shkak lëndimit në këmbë do të mbetet jashtë fushave në periudhën që pason, ndërsa gjithashtu për shkak lëndimit në dilemë është edhe paraqitje e Enis Fazllagiqit në ndeshjen e parë”.
“Mungesa e katër futbollistëve standart, realisht paraqet problem për ne, por duhet të përballemi me situatën. Shkojmë për fitore në të dyja ndeshjet. Nxjerrëm shumë punë pozitive nga ndeshjet me dy përfaqësueset favorite si Franca dhe Serbia dhe besoj që do të kemi rezultate më të mira në ndeshjet e tetorit. Ishujt Faroe me barazimin kundër Francës konfirmuan se janë përfaqësuese serioze, luajnë në mënyrë kolektive me shumë luftë dhe vrapim gjatë 90-të minutave, por besoj se ne do të jemi në nivelin e duhur dhe nga ne do të varet fituesi i ndeshjes” – është shprehur Dragan Kanatallarovski.
Maqedonia U21 në dy ndeshjet e para eliminatore arriti të marrë pikë kundër Serbisë në ndeshjen e luajtur në Shkup, ndërsa humbën nga favoritët e grupit, Franca.
Grumbullimi i përfaqësueses shpresa të vendit është përcaktuar me 3 tetor në hotelin “Aleksandar Pallas” në Shkup.
MAQEDONIA U21: |
Portierë: David Denkovski (Bregallnica 2008), Marko Alçevski (Akademia Pandev), Damjan Serafimov (Kadino); |
Mbrojtës: Filip Antovski (Austria Viena, Austri), Blerton Sheji (Shkupi), Besir Iseni (Struga Trim Lum), Mario Mladenovski (Makedonija GJ.P), Aleksandar Gjurkovski (Tikvesh 1930), Adrian Hajdari (Rapid Viena, Austri), Gjorgje Jankulov (Borec), Jovan Manev (Bregallnica); |
Mesfushorë: Besnik Ferati (Akademia Pandev), Enis Fazlagiq (Zhilina, Sllovaki), Ali Adem (Shkupi), Tomçe Grozdanovski (Dugo Pole, Kroaci), Amel Rustemoski (Vil, Zvicër), Luka Stankovski (Rabotniçki), Arbi Vosha (Makedonija GJ.P.), Emir Skenderi (Struga Trim Lum), Metodi Maksimov (Rabotniçki), Luka Trajkovski (Borec); |
Sulmues: David Toshevski (Gornik, Poloni), Marko Gjorgjievski (Shkupi), Mario Ilievski (Septemvri Sofija, Bullgari); |
Seleksionues: |
Dragan Kanatllarovski |