Lacio e ka fituar derbin e zjarrtë të kryeqytetit italian kundër Romës, në kuadër të javës së 6-të në Serie A.
Lacio shënoi fitore 3:2 ndaj të përzgjedhurve të Hoze Murinjos, ndërsa një nga realizatorët e golave për “lacialët” ishte edhe futbollisti spanjoll, Pedro Rodriguez që shënoi golin e dytë në minutën e 19-të.
Kjo mjaftoi që 34-vjeçari të shkruante histori në derbin e kryeqytetit italian, duke u bërë futbollisti i tretë që shënon gol në derbi me dy skuadrat rivale.
Para tij këtë gjë e ka arritur mbrojtësi serb, Aleksandar Kolarov, që i shënoi dy gola Lacios me fanellën e Romës në vitet 2018 dhe 2019, derisa më parë i kishte shënuar “Ujkeshës romake” me fanellën e Lacios në vitin 2009.
Futbollisti i tretë që ka arritur këtë statistikë është Arne Selmosson, i pari që ka shënuar me të dyja skuadrat në ndeshjet derbi.