Renova ka shkëlqyer sot përballë Bregallnicës, ndaj së cilës skuadër zhvilloi fitoren më të thellë të javës, njofton “infOSport.mk”.
5:2 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi në të mirë të “bardhekaltërve” nga Tetova, të cilët në këtë mënyrë morrën kryesimin në elitën e futbollit vendor.
Në pjesën e parë fjalën kryesore e pati Remzifaik Selmani, i cili përveç që realizoi një eurogol nga gjuajtja e lirë, asistoi edhe në golat e shënuar nga Shefit Shefiti dhe Fatjon Jusufi.
Vëmendje morri pikërisht goli i Jusufit, i cili pasi u lirua mjaft mirë nga dy futbollistë kundërshtarë, pasoi për Selmanin brenda zonës, ndërsa ky i fundit me një asist të mrrekullueshëm servoi një top për Jusufin, i cili shënoi për 1:0.
E gjithë kjo ndodhi në minutën e 22-të, ndërsa vetëm 3 minuta më pas erdhi kundërpërgjigjja nga ana e mysafirëve nga Shtipi, të cilët barazuan me anë të Marjan Altiparmakovskit.
Momenti më i bukur i ndeshjes ndodhi në minutën e 33-të. Remzifaik Selmani morri përgjegjësinë për të ekzekutuar goditjen e lirë nga një distancë prej 25 metrash, ndërsa një gjë të tillë bëri në mënyrë perfekte, duke shënuar për 2:1.
Megjithatë këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar në pjesën e parë, pasi Selmani i cili luftoi vetë për një top në gjysmëfushë, më pas dhuroi edhe një tjetër asist për Shefit Shefitin, i cili nuk fali dhe si një sulmues i vërtetë pa menduar shumë goditi me të parën, duke shënuar për 3:1.
Fillimi i pjesës së dytë solli një gol të shpejtë për mysafirët, që me anë të Jovan Manevskit ngushtuan epërsinë e “gjipspunuesve” në 3:2.
Megjithatë kur u mendua se Bregallnica me të gjitha forcat do të kërkojë edhe golin e barazimit, ndodhi e kundërta, Renova morri sërish nën kontroll lojën, duke shënuar edhe dy gola të tjerë.
Në minutën e 74-të, mbrojtësi Antonio Ilieksi shënoi një super gol me kokë pas harkimit nga e djathta të Viktor Serafimovskit, ndërsa pas shumë pasimeve të shkurtëra dhe një super “dabëll-pasi” midis Emran Ramadanit dhe Burhan Mustafov, ky i fundit shënoi për 5:2, duke vendosur njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi.
Ishte kjo fitorja e 5-të për Renovën në 8 javë kampionat, me ç’rast kjo skuadër për momentin me 17 pikë kryeson e vetme renditjen në Ligën e Parë. (infOSport.mk)