Askush si ai, Argjent Gafuri 300 ndeshje me Renovën!

Argjent Gafuri të dielën e kaluar në ndeshjen kundër Struga Trim Lum ka regjistruar ndeshjen e tij të 300-të me fanellën e Renovës, njofton “infOSport.mk”.

33-vjeçari po zhvillon sezonin e tij të 13-të me fanellën e skuadrës nga Xhepçishti, nga e cila ishte larguar vetëm në vitin 2018-të drejt Flamurtarit të Vlorës, por që sërish u rikthye për të luajtur me ekipin e zemrës, Renovën, për të cilën skuadër në 300 ndeshje ka regjistruar 42 gola dhe 43 asistime.

Ai një kohë mbante edhe shiritin e kapitenit, mirëpo një lëndim më i rëndë në fundin e vitit 2020, bëri që ai të mbetet jashtë fushave të futbollit për disa muaj.

Pasojat e dëmtimit të ligamenteve, Gafuri po i vuan edhe këtë fillim sezoni, ku ka regjistruar vetëm 3 paraqitje, edhe atë në të gjitha si zëvendësues, përfshirë këtu edhe takimin e fundit kundër Struga Trim Lum. (infOSport.mk)

Leave a Reply