Sot skuadra strugane e Veleshtës që garon në Ligën e Dytë – Perëndim do të jetë nikoqir i FC Shkupit në ndeshjen e raundit të parë të Kupës, njofton “infOSport.mk”.
Është kjo hera e parë që këto dy skuadra do të takohen njëra me tjetrën në një ndeshje zyrtare, ndaj dhe e njëjta ka zgjuar mjaft interes në Strugë.
Në taborin e Veleshtës po mbizotëron një atmosferë e shkëlqyer, sidomos pas asaj fitore të parë ndaj Vardarit të shtunën, ndaj dhe optimizmi nuk mungon te kjo skuadër që dëshiron të gëzojë edhe njëherë tjetër tifozët e saj me një rezultat pozitiv. Dhe ndaj shtrohet pyetja nëse Veleshta ka forcën e duhur që me Lenën si lider të surprizojë favoritët e FC Shkupit, aktualisht kryesuesit në elitën e futbollit vendor.
Ndeshja Veleshta – FC Shkupi starton në ora 15:00, ndërsa paralel me këtë ndeshje do të zhvillohen edhe ndeshjet Kit Go-Shkëndija dhe Nju Star-Borec. (infOSport.mk)