Ismaili: FC Shkupi këtë vit synon edhe trofeun e Kupës

FC Shkupi e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri në elitën e futbollit vendor, ku pas 7 xhirove të para kryeson renditjen me 14 pikë, ndërsa një fillim të tillë të mbarë “bardhekaltërit” me siguri që dëshirojnë të bëjnë edhe në ndeshjet e Kupës, njofton “infOSport.mk”.

Aventura e tyre në këtë kompeticion nis nesër me ndeshjen në transfertë kundër Veleshtës, skuadër kjo që garon në Ligën e Dytë – Perëndim. Në prag të këtij takimi nga tabori i skuadrës shkupjane ka folur kapiteni Fatih Ismaili, theksoi se ndeshjet për kupë, gjithmonë janë të vështira, por njëkohësisht duke mos fshehur se FC Shkupi këtë vit synon ta fitojë edhe këtë trofe.

“Nesër do ta luajmë lojën e parë për Kupën e Maqedonisë kundër ekipit të Veleshtës në Strugë. E respektojmë kundërshtarin tonë, por ne jemi mjaft të fokusuar. Ndeshjet për kupë janë të rëndësishme por edhe të vështira, sepse siç e dimë, kualifikimi në raundin tjetër përcaktohet me vetëm një ndeshje. Ambiciet tona për këtë sezon janë të mëdha, ashtu siç synojmë kreun e tabelës në ligë, gjithashtu e synojmë edhe Kupën e Maqedonisë”, – është shprehur kapiteni i FC Shkupit, Fatih Ismaili.

Ndeshja e raundit të parë, KF Veleshta – FC Shkupi, e vlefshme për Kupën e Maqedonisë së Veriut, e cila duheshe të luhej më 15.09.2021, do të zhvillohet nesër në Stadiumin e Veleshtës, duke filluar nga ora 15:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply