Interi me stil kampioni mundi Fiorentinën në “Artemio Franki” (VIDEO)

Edhe pse ishte në disavantazh (0:1) gjatë pjesës së parë, Interi me fytyrën e një kampioni të vërtetë arriti që të përmbys Fiorentinën në pjesën e dytë, duke e mundur midis “Artemio Frankit” me shifrat 3:1, njofton “infOSport.mk”.

Pjesa e parë ishte më e mirë për vendasit, të cilët përveç golit të Sotil në minutën e 23-të, rrezikuan edhe në disa raste portën e “zikaltërve”, në të cilën i sigurtë tregohej Handanoviç, duke shpëtuar ekipin e tij në disa raste.

Megjithatë krejtësisht një pasqyrë tjetër pamë në pjesën e dytë, kur Interi luajti shumë më mirë, ndërsa brenda 10 minutave të para arriti që të përmbys gjithçka. Pas një aksioni model Darmian në minutën e 52-të solli simetri në rezultat, ndërsa nuk vonoi shumë Edin Xheko me golin e tij të 89-të në Serie A, kaloi në epërsi Interin në minutën e 55-të.

Fiorentina tentoi të rikthejë goditjen, mirëpo munguan rastet konkrete, që sërish i kishte Interi, sidomos pas atyre kundërzbritjeve të shpejta, e ku si pasojë në minutën e 87-të erdhi edhe goli i tretë, me autorë Perishiç.

Vlen të theksohet se Fiorentina nga minuta e 78-të luajti me një futbollistë më pak në fushë, kjo për shkak dy kartonëve të verdhë të marrë nga ana e Gonzales, i cili nuk ndaloi së protestuari drejt arbitrit kryesor për shkak të një ndërhyrje të Bastonit, i cili gjithashtu ishte ndëshkuar me të verdhë.

Falë kësaj fitore, Interi sërish merr kryesimin në “Serie A” me 13 pikë, derisa Fiorentina me 9 pikë renditet në pozitën e 6-të.

Në takimin tjetër që zhvillohej paralel, Atalanta e Berat Xhimshitit me rezultatin 2:1 mundi Sasuolon. Gosens shënoi edhe njëherë tjetër për skuadrën nga Bergamo, derisa një gol tjetër realizoi edhe Zapakosta. Golin e vetëm për Sasuolon në këtë transfertë e realizoi Berardi një minutë para fundit të pjesës së parë. Më herët gjatë ditës së sotme, Bolonja dhe Xhenoa barazuan me shifrat 2:2. (infOSport.mk)

Leave a Reply