Shkëndija pas gati një muaj ka registruar fitore në ndeshjet kampionale, duke mundur sërish një skuadër shkupjane, njofton “infOSport.mk”. Pas fitores 4:0 ndaj Makedonija GJ.P me 22 gusht, kampionët në fuqi të vendit sot në lagjen e Autokomandës mundën Skopjen me shifrat 2:0.
Pas matjes së forcave në fillim të takimit, Valmir Nafiu në minutën e 14-të me një super gol paralajmëroi fitoren e skuadrës tetovare. Një ngapërforcimet e fundit, kamerunasi Xhesi Guera me një diagonale të gjatë gjeti në zonën kundërshtare numrin 10 të “kuqezinjëve”, i cili pa menduar shumë goditi me të parën, duke shnëuar një super gol në rrjetën e Efremov.
Ky gol ju dha një qetësi futbollistëve të trajnerit Bruno Akrapoviç, që kontrollonin mjaft mirë lojën, mirëpo duke mos rrezikuar sërish portën vendase gjatë 45 minutave të para që u mbyllën me vetëm një gol.
Në pjesën e dytë e njëjta fotografi në fushë, me një Shkëndijë dominuese dhe që dinte të administronte lojën shumë mirë përballë skuadrës vendase, që nuk arrinte dot të rrezikonte portierin Zahov.
Saktë pas një ore lojë, Shkëndija me anë të talentit Dashmir Elezi, shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Efremov, mirëpo i njëjti u anulua për shkak pozitës jashtë loje. Megjithatë gjithçka ishte në rregull me golin e Jan Krivak në minutën e 67-të.
Pas një harkimi nga rivënia e këndit në shtyllën e dytë, sllovaku i papenguar nga askush me kokë shënoi për rezultat 2:0, rezultat ky që në fund doli të jetë edhe rezultati përfundimtarë i këtij takimi.
Për Shkëndijën ishte kjo vetëm fitorja e dytë në kampionat, me ç’rast kjo skuadër tashmë me 10 pikë renditet në pozitën e 6-të, ndërkohë Skopje me 5 pikë mbetet në pozitën e 10-të. (infOSport.mk)