Java e katërt në elitën e futbollit kosovar do të na dhurojë super derbin, Drita – Ballkani. Bëhet fjalë për dy skuadra që viteve të fundit çdoherë po luftojnë për titullin kampion, me gjilanasit që janë më të mirë në këtë drejtim, edhe pse ndeshja e nesërme pritet të jetë me shumë paqartësi.
“Nesër na pret një përballje e fortë, takohen dy skuadra të cilat në dy vitet e fundit gjithmonë kanë zhvilluar ndeshje të mira dhe të forta. Kjo për shkak të cilësisë së futbollistëve dhe kualitetit që kanë njëra apo tjetra skuadër si në aspektin individual, ashtu edhe në atë grupor. Nuk dyshohet që do të jetë ndeshje e taktizuar si nga njëri apo tjetri trajner, ne sigurisht kemi marrë masat, kemi analizuar kundërshtarin, në repartet apo edhe në aspektin individual dhe ne të gjithë kemi punuar dhe e shohim nesër në lojë se si do të rrjedhë ndeshja”, – ka theksuar trajneri i Dritës së Gjilanit, shlupjani Ardian Nuhiu.
Lidhur me këtë takim nga tabori i skuadrës gjilanase ka folur edhe ish futbollisti i Shkëndijës, Ardian Cuculi, i cili tha se e respektojnë Ballkanin në maksimum, por si skuadër do të bëjnë çmos që pikët të mbesin në Gjilan.
“Është një ndeshje vërtetë kampionale, është një kundërshtar shumë i fortë, një ekip që ka treguar cilësi këto dy-tri vitet e fundit, me lojtarë shumë cilësorë, që luajnë bashkë dhe do të jetë një ndeshje që nuk do të varet rrjedha e kampionatit, por gjithsesi do të shërbejë për vazhdimësinë e njërës skuadër. Duke luajtur me një ekip të tillë të tre rezultatet janë në lojë, shpresoj që me një angazhim maksimal të të gjithëve do të bëjmë përpjekjet tona për të arritur një rezultat pozitiv, pse jo edhe të fitojmë, kështu të vazhojmë operimin tonë drejt kreut të tabelës, gjegjësisht vazhdimësinë e kampionatit”, – ka thënë Cuculi.
Ndeshja e nesërme ndërmjet Dritës dhe Ballkanit do të zhvillohet në stadiumin “Selami Osmani – BEZI” në Gjilan me fillim nga ora 16:00.