Mançester Junajtedi dje nën regjinë e të rikthyerit Kristiano Ronaldo mundi 4:1 Njukasëll Junajtedin, duke rimarrë kreun e tabelës së klasifikimit në Premierligë.
Ishte ky një super debutim për Ronaldon, i cili realizoi dy gola për “Djajtë e Kuq”, ndërsa nga një gol tjetër realizuan Bruno Fernandesh dhe Xhesi Lingard.
Poll Pogba ndonëse nuk realizoi në këtë ndeshje, ai i shtoi edhe dy asistime të tjera, duke asistuar në dy golat e fundit të shënuar nga Bruno dhe Lingard.
Me dy asistet e djeshme, Pogba tani ka regjistruar shtatë asistime pas katër xhirove të para, duke vendosur kështu një rekord historik.
Sipas ‘Optas’, është ky numri më i lartë që një futbollistë ka asistuar pas katër xhirove të para në një sezon të Premierligës.
Francezi në fakt tani ka regjistruar më shumë asistime (7), sesa që kishte bërë gjatë dy kampanjave paraprake të kombinuara (6).