Shkëndija në ditën e fundit të merkatos përforcohet me dy futbollistë!

Sot edhe zyrtarisht mbyllet merkatoja në futbollin tonë vendor, ndërsa e njëjta si duket nuk ka përfnduar për Shkëndijën, te e cila skuadër së fundmi ndodhën shumë ndryshime, shkruan “infOSport.mk”.

Pas largimeve të njëpasnjëshme, “kuqezinjtë” së fundmi kanë angazhuar dy emra të rinj, edhe atë  kamerunasin 24 vjeçar Jessie Guera Djou, si dhe sulmuesin shqiptarë Sindrit Guri. Ky i fundit pritet të zëvendësojë Besart Ibraimin, bomberin shumëvjeçarë të skuadrës tetovare, i cili vendosi që karrierën ta vazhdojë në Greqi te skuadra e Ksantit, ndërkohë mësojmë se së fundmi drejtuesit e klubit janë duke kërkuar që të plotësojnë edhe pozitën e mbrojtësit të majtë, pas largimit të Antonio Paviç, por gjithashtu ata me ngulm po kërkojnë edhe një mesfushorë.

Si zëvendësues të Antonio Paviç, trajneri Bruno Akrapoviç kërkon Stipo Markoviç, i cili së fundmi ishte pjesë e Lokomotivës së Zagrebit, ndërsa pjesën më të madhe të karrierës së tij e kaloi te skuadra e Shiroki Brijeg.

Ndërkohë emri i dytë që mund të përforcojë Shkëndijën, është Josip Tomasheviç. Ky i fundit është një agjent i lirë, teksa së fundmi luante me skuadrën greke të Atromitos. Ndryshe pjesën më të madhe të karrierës së tij e kishte kaluar në Kroaci, ndërsa gjithashtu kishte patur një eksperiencë të shkurtër në Bullgari me skuadrën e Lokomotiv Plovdivit, kur kjo skuadër udhëhiqej pikërisht nga Bruno Akrapoviç. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply