Kosova mbrëmë nuk shkoi më shumë se një barazim 1:1 ndaj Greqisë në ndeshjen e vlefshme të grupit “B” eliminatorë për Botërorin e vitit 2022 që do të mbahet në Katar, njofton “infOSport.mk”.
Golin e vetëm për Kosovën në takimin e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” e realizoi Vedat Muriqi në minutën e 92-të. Edhe pse “Dardanët” ishin shumë më të mirë në fushën e blertë, ata në fund nuk arritën të marrin pikët e plota.
Përveç kësaj, Kosova humbi edhe dy futbollistë titullarë për ndeshjen e rradhës me Spanjën. Për shkak kartonëve përballë “iberikëve” do të mungojë dyshja Besar Halimi dhe Lirim Kastrati. Ky i fundit dje ishte një ndër futbollistët më të lëvizshëm në pjesën ofenzive, megjithatë në asnjë rast nuk arriti të rrezikojë portën greke.
Kosova pas 4 xhirove të zhvilluara në grup, renditet në pozitën e tretë me 4 pikë, derisa Spanja pas 5 xhirove me 10 pikë mban pozitën e parë. (infOSport.mk)