FC Shkupi në ditën e fundit të merkatos së verës ka prezantuar një futbollistë kampion, i cili te skuadra nga Çairi vjen nga rradhët e skuadrës kampione të Kosovës, FC Drita, njofton “infOSport.mk”. Bëhet fjalë për Vlladica Brdarovskin, i cili tituj kampion kishte përjetuar edhe në futbollin vendor me skuadrën e Vardarit, ku edhe kishte arritur sukseset e tij më të mëdha, duke u shpallur 3 herë kampion i Maqedonisë.
Me të njëjtin synim, Brdarovski vjen te FC Shkupi, skuadër kjo që këtë vit pretenon që të rikthejë titullin në Çair pas shumë vitesh.
Ndryshe Brdarovski me FC Shkupin ka nënshkruar kontratë një vjeçare, duke përforcuar dukshëm krahun e djathtë të mbrojtjes, aty ku do të konkurrojë me bashkëqytetarin e tij nga Manastiri, Tome Kitanovski, por edhe me Ardit Iljazin.
Brdarovski pikërisht te skuadra e vendlindjes së tij, Pelisteri e kishte nisur karrierën e tij, teksa në futbollin vendor përveç me Vardarin, kishte luajtur edhe me Rabotniçkin.
Në tre periudha të ndryshme i njëjti kishte luajtur edhe jashtë Maqedonisë, duke veshur fanellën e skuadrës çeke të Zbrojovka Brünn, si dhe atë hungareze të ETO FC Győr, dhe së fundmi të Dritës nga Kosova, për të cilën skuadër kishte zhvilluar 22 ndeshje. (infOSport.mk)