Dinamo e Tiranës ka bërë edhe një goditje tjetër në merkato, teksa në limitet e fundit të kohës ka bërë për vete ish futbollistin e FC Shkupit, Edis Maliqi, njofton “infOSport.mk”.
Shkupjani së fundmi ishte pjesë e Lokomotivës së Zagrebit, te e cila skuadër ishte transferuar nga rradhët e Kukësit.
“Mbrojtësi shqiptaro-maqedonas, Edis Maliqi rikthehet në Kategorinë Superiore tek Dinamo. 25-vjeçari, me një eksperiencë në kampionatin maqedonas, shqiptar dhe atë kroat, është vlerë e shtuar kontigjentit të trajnerit Shkëmbi. Futbollisti është vënë sot menjëherë nën urdhrat e stafit teknik”, shkruan Dinamo në faqen e saj zyrtare.
Maliqi rikthehet kështu në Superligën shqiptare vetëm pas një viti, aty ku shkëlqeu me fanellën e Kukësit, për të cilën skuadër ka zhvilluar 73 ndeshje, duke regjistruar edhe 2 gola dhe 5 asiste.
Në këtë mënyrë Maliqi bëhet futbollisti i 5-të nga Maqedonia që do të luaj për Dinamon e Tiranës në sezonin e ri, pas Agim Ibraimit, Besir Demirit, Goran Siljanovskit dhe Aleksandar Isaevskit. (infOSport.mk)