Maqedonisë nuk i mjaftuan edhe dy golat epërsi! Vetëm barazim ndaj Islandës (VIDEO)

Edhe një barazim tjetër brenda pak ditësh për Maqedoninë e Veriut, skuadër kjo që sonte barazoi 2:2 në transfertën ndaj Islandës, njofton “infOSport.mk”. Edhe pse ekipi ynë kombëtarë kishte epërsi prej dy golash, në fund ata duheshe të kënaqen me vetëm një pikë, që tashmë Maqedoninë e shohin shumë poshtë në renditjen tabelare të grupit “J”.

Një harkim nga ana e Ezgjan Alioskit në minutën e 11-të mjaft mirë e shfrytëzoi Dare Velkovski, i cili i ndihmuar edhe nga portieri vendas në ato momente arriti që të kalojë në epërsi Maqedoninë. Ky gol ishte i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa pas 9 minutave lojë në pjesën e dytë, “verdhekuqtë” me anë të futbollistit shqiptarë, Ezgjan Alioski shënuan edhe golin e dytë.

Mirëpo kur mendohej se të përzgjedhurit e Milevskit do të regjistrojnë edhe fitoren e tretë në kuadër të grupit “J” eliminatorë për Botërorin e vitit 2022 që do të mbahet në Katar, ashtu nuk menduan edhe islandezët, të cilët i këndellën, sidomos pas 3 zëvendësimeve të njëpasnjëshme në minutën e 60-të, që sollën edhe ndryshimin e duhur në lojën e Islandës.

Vetëm 4 minuta pas zëvendësimeve të bëra, Islanda shënoi golin e parë në këtë ndeshje, mirëpo i njëjti u anulua për shkak pozitës jashtë loje.

Megjithatë nuk vonoi shumë dhe në minutën e 78-të, Islanda me anë të Bjarnason shënoi golin e parë, që i hapi rrugën edhe golit të dytë të barazimit që erdhi në minutën e 84-të, këtë herë me autorë Gudjohnsen.

Deri në fund të takimit Maqedonia u kanos me anë të Çurlinov, mirëpo goditja e tij me kokë në minutën e 95-të u devijua në rivënie nga këndi.

Kësisoj ky barazim Maqedonisë mund ti kushtojë shumë, kjo pasi tashmë  “verdhekuqtë” pas 5 xhirove me 8 pikë të tubuara ndodhen në pozitën e 4-të. Ndeshjen e rradhës (8 shtator), Maqedonia do ta zhvillojë në Shkup përballë Rumanisë, që sonte mundi Lihtenshtejnin. (infOSport.mk)

Leave a Reply