Fillimi i sezonit të ri në elitën e futbollit në Maqedoninë e Veriut ka nxjerë në pah insistimin e ndjekjes së rrugës profesionale të një futbollisiti. Në kohë merkatoje kur klubet e opinioni me kureshtje presin të shohin cilësinë që do shfaqin përforcimet e reja, te FC Struga Trim&Lum në veçanti dhe në elitën e futbollit vendor në përgjithësi komandon një emër. Bunjamin Shabani, mesfushori kumanovarë ka vazhduar ngritjen e formës së tij nga sezoni i shkuar dhe tani në 4 xhirot e para të sezonit të ri thjesht “komandon” te Struga dhe me shiritin e kapitenit në krahë është lojtari rreth të cilit ndodh gjithçka në lojën e struganëve.
Në periudhën kur klubet ankohen duke kërkuar alibi për pikët e humbura në ndeshjet e para të këtij sezoni dhe shumë talent të ri nuk e shfaqin potencialin e tyre në fushë për të treguar veten, krejtësisht situatë pozitive është me mesfushorin, Bunjamin Shabani që po përjeton një rini të dytë dhe thjesht habit me paraqitjet dhe atë që jep në fushën e gjelbërt.
Edhe pse në moshë 30 vjeçare, kumanovari ka spikatur në këtë fillim sezoni me Strugën, duke lënë nën hije shumë futbollistë tjerë që i përkasin elitës vendore.
Shabani, e ka nisur në mënyrë fantastike këtë sezon, duke qenë bartësi i lojës te ekipi strugan që regjistroi dy fitore dhe dy barazime në katër ndeshjet e para të luajtura. Kumanovari ishte superior në të gjitha ndeshjet, ndërsa veçohet përballja ndaj Shkupit, në të cilën Shabani ishte një “komandant” i vërtetë në lojë dhe mes tjerash dhuroi dy asiste në fitoren 4:2 të Strugës. Kjo qasje e kapitenit të Strugës në këtë fillim sezoni, paralajmron se Shabani është në super-formë dhe do të jetë njeriu kryesor i lojës së ekipit strugan edhe për këtë sezon, pasi në kampanjën e fundit ishte njëri nga më meritorët te Struga, që falë kontributit të tij arritën për herë të parë të luajnë në garat Europiane.