Bujar Shabani edhe zyrtarisht është larguar nga FC Shkupi, te e cila skuadër erdhi që para ndeshjeve europiane, edhe atë si një super përforcim për mesfushën dhe mbrojtjen. Megjithatë i njëjti largohet nga kjo skuadër vetëm pas dy muajve, duke vendosur që karrierën ta vazhdojë në Superligën e Kosovës, nga edhe kishte arritur.
Informacione të “infOSport.mk” bëjnë me dije se Shabani është shumë afër firmës me ekipin e Dukagjinit, që gjatë kësaj merkatoje solli futbollistë shumë cilësorë.
I pari ishte Arbër Shala, ish futbollisti i Renovës, ndërsa pjesë e Dukagjinit në sezonin e ri do të jenë edhe nigeriani, Henry Chibueze, Ergyn Ahmeti, Argjend Bardhi, futbollisti nga Guinea Morina Tokpa Lamah, braziliani Zhan Karioka da Silva, Jozef Kuqi, sulmuesi i njohur Ahmed Januzi, , ish futbollisti i Shkëndijës, Ardin Dallku, si dhe dy përforcimet e ditës së sotme, Ermal Vitija dhe Amer Duka.
Një revolucion i vërtetë në rradhët e Dukagjinit, që edicionin e kaluar luajti në finalen e Kupës së Kosovës, duke humbur vetëm përmes penaltive nga Prishtina, ndërsa këtë vit në mesin e më të mirëve drejtuesit e kësaj skuadre dëshirojnë që të lënë gjurmë dhe të jenë befasia e këndshme e kampionatit.
Mbetet të shihet nëse Shabani edhe zyrtarisht do i bashkohet KF Dukagjinit, aty ku pritet të ambientohet shumë shpejtë, një gjë që nuk arriti ta bëjë te FC Shkupi, ku luajti në vetëm dy ndeshje zyrtare, edhe atë si zëvendësues në ndeshjet kundër Llapit të vlefshme për raundin e parë eliminatorë të Ligës së Konferencës, mirëpo jo edhe të debutojë në një ndeshje zyrtare në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut. (infOSport.mk)