Struga Trim Lum sezonin e ri në elitën e futbollit vendor e ka nisur me barazim. Ekipi strugan, që edicionin e kaluar shkroi historinë, duke siguruar një vend për në garat europiane, në takimin e fundit të xhiros së parë të sezonit të ri në elitën e futbollit vendor, barazoi 1:1 ndaj Akademia Pandev në Strumicë, njofton “infOSport.mk”.
Vendasit e dëshironin më shumë fitoren, megjithatë ekipi strugan dëshmoi edhe njëherë tjetër se ka krijuar një organikë të shëndoshë dhe një skuadër shumë respektabile, që vështirë është të mundet.
Pas matjes së forcave në fillim në takimit, Struga Trim Lum avansoi me anë të golashënuesit të saj, Emir Skenderi, i cili shfrytëzoi hutinë në mbrojtjen e vendasve dhe nga tentativa e dytë arriti që të mposhtë portierin Jovanovski.
E gjithë kjo ndodhi në minutën e 25-të, ndërsa vetëm pas 9 minutave lojë në pjesën e dytë, Akademia Pandev arriti deri tek barazimi, falë golit të shënuar nga ana e Martin Mirçevskit.
Ish futbollisti i Vardarit pranoi një top brenda zonës mysafire dhe me një parabolë arriti që të mposhtë Davor Taleskin, i cili në minutën e 76-të prodhoi një intervenim bravuroz, duke i mohuar fitoren skuadrës së Akademia Pandev. (infOSport.mk)