FC Shkupi është eliminuar nga garat europiane, aty ku këtë vit bëri një hap para në krahasim me vitet tjera, shkruan “infOSport.mk”. Skuadra nga Çairi u eliminua në raundin e dytë të Ligës së Konferencës nga skuadra portugeze e Santa Klaras, pasi në raundin e parë kishte eliminuar skuadrën kosovare të KF Llapit.
Skuadra e Goce Sedlloskit u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 5:0 nga Santa Klara, që sonte si vendas shënoi fitore 2:0 (3:0 kishte fituar në ndeshjen e parë në Shkup).
Që të dy golat skuadra portugeze i realizoi gjatë pjesës së parë, edhe atë përmes Karvaljos (13’) dhe Villanuevas (39’).
Këtë ndeshje, trajneri Goce Sedlloski e kishte nisur pa Kire Markoskin, vendin e të cilit e kishte zënë 21-vjeçari Gjorgjievski, i cili edhe njëherë tjetër dështoi të tregoi cilësitë e tij.
Pas pjesës së parë, që në tërësi foli për Santa Klarën, në të dytën FC Shkupi u stabilizua, mirëpo duke mos mundur që të shënojë në rrjetën e vendasve, edhe pse “bardhekaltërit” kishin plotë 6 goditje brenda kuadrantit të portës.
Ajo që vlen të theksohet, është fakti se edhe në këtë ndeshje trajneri Sedlloski vendosi që në lojë të inkuadrojë futbollistë të rinj nga shkolla e FC Shkupit, duke i dhënë mundësinë të riut Anid Abazi, që bëri debutimin e tij në ndeshjet europiane me fanellën e klubit që e ka në zemër.
Kujtojmë një gjë të tillë në ndeshjen e parë në Shkup, kishte bërë edhe Erion Shuku. (infOSport.mk)