E pamerituar, Nuhiu me Dritën e tij eliminohen fare në fund nga gjigandët holandez të Fejenordit!
Drita e Gjilanit, që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu, pa meritë u eliminuan nga Liga e Konferencës, edhe atë nga një skuadër gjigande, siç është Fejenordi holandez, njofton “infOSport.mk”.
Pas barazimit 0:0 në Prishtinë, skuadra e Dritës në Roterdam sonte u mund me shifrat 3:2, edhe atë me një gol të pranuar vetëm në minutën e 89-të.
Skuadra e Nuhiut pësoi gol shumë shpejtë, edhe atë vetëm pas 7 minutave, mirëpo gjilanasit shumë shpejtë u rikthyen në lojë, duke bërë kthesë totale të rezultatit, falë golave të shënuar nga Marko Simonovski (12’) dhe Astrit Fazliut (16’).
Këto 3 gola të shënuar në harkun e 15 minutave të para, dolën të jenë golat e pjesës së parë, ndërsa në të dytën Fejenordi morri lojën nën kontroll, por që duhet theksuar se ishte Drita ajo që kishte rastet më të mira për të avansuar. Arbnor Muja, Markos Simonovski dhe Almir Ajzeraj kishin raste të qindpërqindta për të shënuar edhe golin e tretë dhe ndoshta vendimtarë në këtë udhëtim, megjithatë asnjëri prej tyre nuk e bëri atë që prisnin ndoshta gjithë shqiptarët, që në ato momente po ndiqnin këtë ndeshje përmes ekraneve televizive.
Arbnor Muja kishte rastin më të mirë, pasi doli i vetëm para portierit kundërshtarë, edhe atë falë një gafe të futbollistëve vendas, mirëpo goditja e tij nuk ishte e saktë. Në ato momente Drita mund të avansonte me shifrat 3:1, mirëpo kur nuk shënon, atëherë vjen ndëshkimi.
Fejenordi në dy raste arriti që të mposhtë Malokun në pjesën e dytë, edhe atë me autorin e njëjtë, Gus Tiil, i cili kishte realizuar edhe golin e parë për Fejenordin në këtë përballje.
Në fund disfatë për Dritën, mirëpo me plotë gojë mund të themi se ishte një disfatë e pamerituar pas gjithë asaj që ndodhi në fushën e blertë, aty ku futbollistët e Dritës deri në momentet e fundit treguan shumë profesionalizëm dhe karakter. (infOSport.mk)