Jo vetëm Lacio, por edhe Napoli ka hyrë në garë për shërbimet e yllit shqiptarë të kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shaqiri, për shërbimet e të cilit gjithashtu interesohen edhe dy skuadrat e njohura nga La Liga, Sevilja dhe Viljareali.
Derisa klubet nga La Liga e kërkojnë huazimin e mesfushorit të Liverpullit, vetë29-vjeçari në një prononcim për “Corriere dello Sport” ka thënë se është i nderuar për interesimin e Lacios dhe se do t’i përshtatej loja nën drejtimin e Mauricio Sarrit.
Mirëpo, “lacialët” tashmë nuk janë klubi i vetëm italian që kërkojnë shërbimet e Shaqirit, pasi fuqishëm në garë është përfshirë edhe Napoli.
Interesimi i “napolitanëve” është intensifikuar që nga lëndimi i Diego Demme, i cili e dëmtoi ligamentin e gjurit gjatë një ndeshjeje parasezonale dhe duhet të operohet.
Shaqiri ka kontratë me Liverpullin deri në qershor të vitit 2022, ashtu që skuadrat që dëshirojnë ta bëjnë për vete do të duhet të paguajnë rreth 15 milion euro.