FC Shkupi sonte në arenën “Todor Proeski” në Shkup zhvilloi ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminatorë në kuadër të Ligës së Konferencës, njofton “infOSport.mk”. Kundërshtarë i skuadrës shkupjane ishte Santa Klara nga Portugalia, që në fund doli të marrë një fitore të lehtë 3:0 në Shkup, duke siguruar vizën për në raundin e tretë vetëm pas 90 minutave të para.
Një autogol i Ruatubjaje në minutën e 30-të ju mundësoi mysafirëve që të kalonin në epërsi, ndërsa dy golat tjerë skuadra e Santa Klaras i realizoi në pjesën e dytë.
Një harkim i saktë nga Allano në minutën e 49-të gjeti në shtyllën e dytë brazilianin Karlos Karvaljo, i cili nga afërsia në ato momente shënoi për 2:0.
Ky gol ishte valid deri në minutat shtesë të takimit, kur pas një pakujdesie në mbrojtjen “bardhekaltër”, mysafirët nga Portugalia me anë të Kostinjas (90+4’) shënuan edhe golin e tretë në rrjetën e Naumovskit.
Ndeshja e kthimit në Portugali, që në program është pas një jave, do të jetë thjesht një formalitet për FC Shkupin, pas këtij triumfi të pastër të arritur sonte në arenën “Todor Proeski” nga skuadra e Santa Klaras. (infOSport.mk)