FC Shkupi ka pësuar disfatë 3:0 ndaj portugezëve të Santa Klara në ndeshjen e parë të raundit të dytë në Ligën e Konferencës, njofton “infOSport.mk”. Me këtë disfatë shpresat e “bardhebluve” nga Çairi thuajse janë shuar që në Shkup, aty ku sonte skuadra kundërshtare morri atë edhe që deshi.
Golin e parë Santa Klara e realizoi saktë pas gjysmë ore, edhe atë duke iu falënderuar autogolit të Ruatubjaje.
Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë portugezët shënuan edhe dy gola të tjerë, pavarësisht ndryshimeve që bëri trajneri i FC Shkupit, Goce Sedlloski në fillimin e kësaj pjese, kur në lojë inkuadroi Trapanovskin në vend të Gjorgjievskit dhe senegalezin Muhamadu Suahib në vend të Cvetanoskit.
Madje ekipi i Sedlloskit pranoi golin e dytë vetëm pas 4 minutave të kaluara në këtë pjesë, kur braziliani Karlos Karvaljo shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Naumovskit.
Ky gol doli të jetë një goditje e rëndë për ekipin vendas, kjo pasi edhe përkundër tentativave që kishin për të shënuar, nuk i’a arritën qëllimit, madje fare në fund, në minutat shtesë pranuan edhe golin e tretë.
Kostinja vulosi fitoren e thellë të Santa Klara në arenën “Todor Proeski”, duke shfrytëzuar pasimin e Rikardinjos.
Kësisoj FC Shkupi i bashkëngjitet Shkëndijës, që më herët pësoi disfatë 2:0 në udhëtim te FC Riga në Letoni.
Këto dy rezultate na japin shumë pak shpresa për të besuar se Shkëndija, apo FC Shkupi do të vazhdojnë tutje në Ligën e Konferencës, kompeticion ky që këtë vit po gëzon vitin e saj të parë. (infOSport.mk)