Ish-sulmuesi i Partizanit, Kaleb Ekuban mund të rikthehet të luajë përsëri në Serie A, aty ku vite më parë luante me Kievon. Pikërisht nga kjo skuadër, Ekuban verën e vitit 2016-të ishte transferuar te Partizani i Tiranës, për të cilën skuadër në 34 ndeshje kishte shënuar 17 gola.
Pas një viti huazim te skuadra shqiptare, drejtuesit e Kievos, vendosën që ta shesin atë te Lids Junajted, nga e cila skuadër verën e vitit 2019-të u transferua te skuadra e njohur turke e Trabzonspor.
Mirëpo me afrimin e Brunos Peres, Zhervinjo dhe Hamshik tek Trabnzonspori, hapësirat për Ekuban mund të jenë të pakta dhe një rikthim në Serie A mund të ishte mjaft komod për sulmuesin nga Gana me pasaportë italiane.
Ndryshe është Xhenoa që ka shfaqur interesim për shërbimet e 27-vjeçarit, i cili edicionin e fundit me Trabzonsporin regjistroi 32 ndeshje dhe 10 gola të shënuar.
Sipas “TuttomercatoWeb”, tratativat e klubit italian me turqit e Trabzonsporit kanë nisur dhe marrëveshja mund të mbyllet mbi bazën e 2 milionë eurove.