Uzuni i pandalshëm, me 3 gola eliminoi Prishtinën e Ramadanit nga LK (VIDEO)

Skuadra kampione e Kosovës, Prishtina ka pësuar disfatë dhe në ndeshjen e dytë të raundit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve ndaj kampionëve hungarez të Ferencvaroshit, njofton “infOSport.mk”.

Pas disfatës 3:0 në tokën hungareze, sonte të besuarit e trajnerit Zekirja Ramadani në stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’ u mundën me shifrat 1:3.

Padyshim vendimtar në këtë ndeshje ishte sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni i cili realizoi “tripletë” për Ferencvaroshin e tij.

Futbollisti me origjinë nga Berati ishte thjeshtë i pandalshëm në pjesën e dytë duke shënuar tre herë brenda 45 minutave. Ndërkohë 25 vjeçari e mbajti premtimin e tij duke mos festuar në golat ndaj Prishtinës.

Golin e vetëm për Prishtinën e Ramadanit e realizoi Mendurim Hoti në minutën e 67-të, kur përkohësisht barazoi shifrat në 1:1.

Prishtina eliminohet kështu nga garat e Lgës së Kampionëve dhe do të vazhdojë aventurën në Ligën e Konferencës, njëjtë sikurse edhe Shkëndija, ndërsa Ferencvaroshi dhe Uzuni vazhdojnë rrugën drejt Ligës së Kampionëve. (infOSport.mk)

Leave a Reply