Shkëndija turpërohet nga Mura në Slloveni

Shkëndija është turpëruar në ndeshjen e kthimit të raundit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve, pasi u mund në transfertën sllovene nga skuadra e NS Mura me rezultatin e thellë 5:0, njofton “infOSport.mk”.

Fillimi i ndeshjes nuk paralajmëroi një rezultat të tillë, pasi në fushë pamë një Shkëndijë shumë agresive që krijonte raste, ndërsa më afër golit ishin Lupçe Doriev dhe Armend Alimi.

Mirëpo kur nuk shënon, vjen ndëshkimi, ndërsa i pari që shënoi për Muran në këtë përballje, ishte Luka Bosançiç, futbollisti që kishte shënuar edhe golin e vetëm në fitoren 1:0 të Mura në Shkup.

Goli i Bosançiç erdhi në minutën e 25-të, ndërsa nga minuta e 42-të Shkëndija duheshe të luaj me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit me të kuq (dy kartonë të verdhë) të mbrojtësit Jan Krivak.

Mungesa e tij la shumë zbrastirë në vijën e fundit të “kuqezinjëve”, që në minutën e parë shtesë të pjesës së parë pranuan edhe golin e dytë, këtë herë me autorë Nino Kouter.

Vendine e zbrazët të Jan Krivak, trajneri Gjoka vendosi ta mbush me Mexhit Nezirin, në fillimin e pjesës së dytë, kur në lojë inkuadroi edhe Valmir Nafiun. Mirëpo që të dy nuk treguan aspak nga repertoari i tyre, duke ju bashkuar grupit tjetër të skuadrës së Shkëndijës, që në asnjë moment nuk gjeti reçetën e duhur për të ndalur futbollistët e disponuar të Mura.

Skuadra sllovene në pjesën e dytë shtoi edhe 3 gola të tjerë, me autorë Klepaç (55, 87’), i cili realizoi “dopietë”, ndërsa një gol tjetër shtoi kapiteni Zhiga Kous (64’).

Është kjo një ndër disfatat më të rënda të Shkëndijës në skenën ndërkombëtare, aty ku tashmë skuadra tetovare do vijoj të luaj në Ligën e Konferencës. (infOSport.mk)

Leave a Reply