Pritja për Argjentinën dhe Lionel Messin mbaroi! “Gauçosët” fituan trofeun e Copa America, pasi në finalen e madhe të zhvilluar në stadiumin legjendar “Marakana” mundën Brazilin me rezultatin minimal 1:0, falë golit të shënuar nga Anhel Di Maria në minutën e 22-të, njofton “infOSport.mk”.
Kësisoj Argjentinas fitoi këtë trofe për herë të parë pas vitit 1993. Risi është se argjentinasit ngritën lartë këtë trofe për herë të parë në erën e Lionel Messit, i cili kishte qenë vetëm 6-vjeç kur Argjentina e tij e kishte fituar për herë të fundit “Copa America”.
Super ylli i Barcelonës deri më tani kishte luajtur në tre finale me Argjentinën në kuadër të Copa America, edhe atë gjatë viteve 2007, 2015 dhe 2016, mirëpo në asnjë rast nuk kishte mundur ta fitojë atë.
Mbrëmjen e sotme kësaj tradite negative iu dha fund, edhe atë në mënyrën më të mirë, pasi fitorja ishte ndaj rivalit të përbetuar Brazilit, edhe atë në shtëpinë e këtyre të fundit, që nuk njihte disfatë në një ndeshje zyrtare që nga viti 1950 e këndej.
Pas përfundimit të ndeshjes Messi ngriti lartë trofeun e më të mirit në kuadër të Copa America, bashkë edhe me shokët e tij, ndërsa ylli brazilian, Nejmar, lëshoi fushën me lotë në sy.
Që të dy megjithatë në fund shkëmbyen një përqafim, përmes të cilit dëshmuan edhe njëherë miqësinë e tyre të madhe.