Fitore spektakolare e Partizanit, në ndeshjen e parë ndaj Sfintul, e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Ilir Dajës shënoi fitore 5:2 ndaj skuadrës moldave, e ku fjalën kryesore e patën dy brazilianët që më parë ishin pjesë e elitës së futbollit tonë vendor, Stenio Zhunior i Shkëndijës dhe Lukas Kardozo i Pelisterit.
Që të dy shënuan nga dy gola në këtë përballje, ndërsa një tjetër gol realizoi edhe Tedi Cara. Vlen të theksohet se ish futbollisti i Shkëndijës, Stenio Zhunior, përveç “dopietës” së realizuar, asistoi edhe në 3 golat tjerë, duke qenë pa dyshim njeriu i ndeshjes.
Në anën tjetër të saktë për skuadrën e Sfintul dolën të jenë Volkov (44”), i cili realizoi nga pika e bardhë dhe Solodovnicov (80’).
Me këtë rezultat, Partizani në ndeshjen e kthimit që luhet me 15 korrik në tokën moldave, futet si favorit për të kaluar në raundin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës. (infOSport.mk)