Drita e Ardian Nuhiut ka shënuar fitore 2:1 përballë skuadrës shqiptare nga Mali i Zi, KF Deçiç, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave shqiptare në kuadër të raundit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës, teksa vetëm ndeshja e dytë mes tyre do të vendos se cila do të kualifikohet për në raundin e dytë.
KF Deçiç shtangu skuadrën gjilanase, edhe atë vetëm pas 3 minutave lojë, kur me anë të Ilir Camajt kaluan në epërsi. Një gol ky i papritur ndoshta për skuadrën e Ardian Nuhiut, që megjithatë shumë shpejtë u rikthye në lojë.
Almir Ajzeraj, ishte ai i cili shënoi në minutën e 11-të, duke barazuar shifrat në 1:1. Me këtë rezultat, skuadrat shkuan në pushim, ndërsa në pjesën e dytë, Drita luajti shumë më mirë, duke krijuar disa raste para golit të mysafirëve, e që njërin prej tyre e shfrytëzoi sulmuesi maqedonas, Marko Simonovski në minutën e 79-të.
Ndeshja e kthimit do të luhet në tokën malazeze, ndërsa fituesi i përgjithshëm në raundin e dytë do të përballet me ekipin e Fejenordit nga Holanda. (infOSport.mk)