8 korriku është datë e shënuar për 8 klubet, të cilat sot do të luajnë kuadër të “Europe Conference League”, njofton “infOSport.mk”.
Kjo është një vlerë e paharrueshme për futbollin mbarëshqiptar, pasi për herë të parë në histori marrin pjesë 11 klube shqiptare në Kupat e Europës.
Shkëndija e Tetovës, Teuta dhe Prishtina luajtën ndeshjet e tyre të para në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, ndërsa 8 klube të tjera fituan të drejtën për të luajtur në Konferencë Ligë.
Shqipëria në këtë kompeticion të ri prezantohet me Vllazninë, Partizanin dhe Laçin, Drita dhe Llapi përfaqësojnë Kosovën, FC Shkupi dhe Struga Trim Lum janë dy klubet shqiptare nga Maqedonia e Veriut, ndërsa Deçiç prezanton Malin e Zi.
Për Llapin, Struga Trim Lumin dhe ekipin e Deçiç është kjo ditë e paharrueshme, nga ato që do të mbeten gjithnjë në muzeun e klubit, pasi bëjnë përfaqësimin e parë në Europë në nivel klubesh në veprimtari zyrtare.
Struga Trim Lum e nis aventurën europiane në orën 16:00 në Letoni, ku do të përballet me ekipin e FC Liepaja. Po të njëjtën orë në Shkup, në stadiumin pranë FFM-së, Sileksi do të përballet me Petrokub nga Moldavia, ndërsa me fillim në ora 20:00 në arenën “Todor Proeski”, FC Shkupi në përballjen shqiptare do të mirëpret KF Llapin nga Podujeva e Kosovës.
Përballje mes skuadrash shqiptare do të kemi edhe në Prishtinë, aty ku Drita e Gjilanit, që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu, do të luaj përballë skuadrës shqiptare të Deçiç nga Mali i Zi.
Edhe kjo ndeshje do të luhet me fillim në ora 20:00, në të njëjtin termin, kur në “Elbasan Arena”, Partizani i Ilir Dajës do të zbret në fushë për tu përballur me moldavët e Stinful George.
Skuadra e fundit shqiptare që do të luaj sonte në kuadër të “Europe Conference League”, është Vllaznia e Mevlan Adilit, skuadër kjo që ndeshjen e parë do ta luaj në Bosnje e Hercegovinë ndaj skuadrës së Shiroki Brijeg. Kjo ndeshje starton në ora 21:00. (infOSport.mk)