Anglia është skuadra e dytë finaliste në kuadër të Euro 2020. Ekipi i Garet Sautgejt në gjysmëfinalen e dytë mundi Danimarkën me rezultatin 2:1, edhe atë vetëm pas vazhdimeve dye herë nga 15 minuta, kjo pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 1:1, njofton “infOSport.mk”.
Kësisoj “Albioni Krenar” me 11 korrik do të përballet me Italinë e Roberto Mançinit, që mbrëmë vetëm përmes ruletit të penaltive eliminoi Spanjën.
Një eurogol i shënuar nga Mikel Damsgard në minutën e 30-të solli në epërsi Danimarkën, skuadër kjo që megjithatë nuk kishte forcë që në vazhdim ti bëjë ballë Anglisë së madhe, që me Sautgejt në krye kualifikohen për herë të parë në një finale të madhe në një europian.
Një autogol i Simon Kjaer në minutën e 39-të bëri që rezultati të barazohej në 1:1, rezultat ky që ishte valid deri në minutën e 104-të, kur Hari Kejn shënoi vetëm pas tentativës së dytë nga pika e bardhë, kjo pasi Kasper Shmajhell kishte lexuar mjaft mirë anën e goditjes nga ana e sulmuesit të Totenhamit.
Ishte ky goli i katërt për sulmuesin anglez në këtë europian, që emrin e fituesit do na e jap me 11 korrik, kur sërish në stadiumin “Uembli” do shohim një super përballje midis Anglisë dhe Italisë. (infOSport.mk)