Pas frikës së madhe, jeta e Kristian Eriksen po rikthehet gradualisht në normalitet. Mesfushori që u rrëzua në fushë për shkak të një sulmi kardiak në ndeshjen mes Danimarkës dhe Finlandës, prej disa ditësh është duke qëndruar në shtëpinë e tij në Odense.
Së fundmi mediat daneze raportojnë se në fundjavën e kaluar Eriksen u pa duke dalë nga shtëpia për herë të parë që nga shtrimi në spital dhe të luajë me djalin e tij 3-vjeçar, duke konfirmuar se gjithë sa ndodhi në “Paken Stadium” është vetëm një kujtim i hidhur.
Megjithatë për rikthimin në fushë nuk po mendohet ende, pasi fantazisti danez është në kontakt të vazhdueshëm me mjekët e klubit të Interit dhe pritet të rikthehet në Milano më datën 10 korrik, kur nis edhe grumbullimi i “zikaltërve”.
Natyrisht jo për t’u stërvitur, por për t’u njohur me trajnerin e ri Simone Inzaghi, për t’u përshëndetur me shokët e ekipit dhe për të kryer një sërë ekzaminimesh mjekësore për vlerësimin e gjendjes shëndetësore.
Mjaft e rwndwsishme është të vlerësohet nëse mund të hiqet tashmë defibrilatori artificial i vendosur pak ditë më parë në spitalin në Kopenhagen, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të merret në konsideratë vazhdimi i karrierës te Interi.
Rregullorja në Itali e ndalon një futbollist të luajë në nivele profesioniste me një defibrilator artificial të vendosur, ndaj nëse nuk hiqet ky i fundit, Eriksen do të duhet të planifikojë të vazhdojë karrierën në një tjetër kampionat.
Gjithsesi të gjitha këto janë hipoteza të mundshme, sepse vetëm pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore në Milano, do të mësohet më shumë për të ardhmen e futbollistit 29-vjeçar danez.