Voska Sport vazhdon të mahnit me transferimet që po bënë. Skuadra shqiptare nga Ohri, që edicionin e ardhshëm për herë të parë do të luaj në Ligën e Dytë – Perëndim, gjatë ditës së sotme ka prezantuar Jasir Selmanin, pjesë e asaj gjenerate të parë që në vitin 2011-të ishte shpallur kampion me Shkëndijën, njofton “infOSport.mk”.
30-vjeçari Selmani te Voska Sport vjen nga rradhët e Renovës, ndërsa ju bashkohet emrave të njohur, si Izair Emini, Enis Dervishi, Ardit Demiri, Shpend Asani, Emir Aliu, Mihajllo Jakimoski, Naum Veljanoski dhe Goran Trajkovski.
Selmani përveç me Shkëndijën dhe Renovën, në futbollin tonë vendor ka luajtur edhe me Gostivarin, ndërsa gjithashtu ka bërë edhe karrierë ndërkombëtare, duke luajtur në Shqipëri me Vllazninë, në Kosovë me Ferizajin, në Norvegji me Follo dhe në Danimarkë me Herlev.
Në ligën e parë të Maqedonisë së Veriut, Selmani numëron 106 ndeshje dhe 9 gola të shënuar, ndërsa i njëjti pas vetes ka edhe ndeshje ndërkombëtare nën ëmbrellën e UEFA-s, duke luajtur me Shkëndijën dhe Renovën në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, gjegjësisht Liga Europa. (infOSport.mk)