Në pak më shumë se 24 orë (pas 30 qershorit), Leo Messi nuk do të jetë më një lojtar i Barcelonës. “Ylli” argjentinas, i grumbulluar në përfaqësuese për “Copa America”, praktikisht është në merkato.
Një situatë shumë delikate kjo e “Pleshtit”, i cili do të donte të qëndronte me ngjyrat “blaugrana”, por që ende nuk ka gjetur marrëveshjen përfundimtare për rinovimin e kontratës.
Zërat flasin për një marrëveshje të re dyvjeçare, pra deri në vitin 2023, por ka ende distancë në aspektin ekonomik për të parë tym të bardhë.
Përveç kësaj, numri 10 aktualisht është i angazhuar me Argjentinën në Kupën e Amerikës, ndaj e zeza mbi të bardhë mund të vonojë disa javë. Fakti është që pas disa orësh zyrtarisht Messi nuk do të jetë më lojtar i Barcelonës.
Një situatë surreale, edhe nëse vullneti i të gjitha palëve të përfshira është të vazhdojnë së bashku.
Barcelona nuk dëshiron të humbasë lojtarin më të fortë në botë, ndërsa “Pleshti” ka zgjedhur të qëndrojë në Spanjë edhe për shkak të mungesave të alternativave të vlefshme.
Muajt e fundit u testua terreni për një kalim të mundshëm te Mançester Siti ose PSZh, por të dy klubet nuk guxuan të bënin sulmin përfundimtar.
Shumë para të kërkuara nga numri 10, që të mund të shkëputej nga “blaugranat”. Është thuajse e sigurt që kontrata do të rinovohet, por tifozët katalanë do të donin që nënshkrimi të ndodhte sa më parë, për t’i shijuar në qetësi të plotë pushimet verore.