Shkëndija fiton gjeneralen ndaj CSKA Sofjes para ndeshjeve në LK (VIDEO)

Shkëndija ka regjistruar edhe fitoren e tretë nga gjithsej 4 të tilla miqësore të zhvilluara si parapërgatitje për ndeshjet europiane që i presin “kuqezinjtë” gjatë verës, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Ernest Gjokës në Bansko të Bullgarisë mundën CSKA Sofjen me rezultatin 3:2.

Arbin Zejnullai ishte autorë i golit të parë për Shkëndijën. Talenti “kuqezi” realizoi në minutën e 22-të, kur përfitoi nga një top i devijuar i mbrojtësve kundërshtarë dhe nuk fali, duke shënuar një gol të bukur me parabolë.

Ky gol doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa në pjesën e dytë u shënuan plotë 4 gola, nga 2 në secilën anë.

Pas një kundërsulmi nga ana e djathtë, Kamer Qaka pasoi për bashkëlojtarin e tij Mevlan Murati, i cili harkoi brenda zonës kundërshtare, ndërsa mbrojtësi Videv në tentativë për të pasruar rrezikun shënoi në rrjetën e tij.

E gjithë kjo situatë ndodhi në minutën e 52-të, ndërsa vetëm 5 minuta më pas CSKA Sofje u kundërpërgjigjë me golin e parë të shënuar nga Ivaljo Klimentov.

Një super depërtim nga e majta e Valmir Nafiut në minutën e 59-të detyroi mbrojtjen e skuadrës bullgare për të shkaktuar penalti, pasi në të kundërtën vështirë e kishin për të ndaluar futbollistin “kuqezi”. Pranë topit për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh u ndal Besart Ibraimi, i cili nuk gaboi dhe në ato momente solli sërish në epërsi prej dy golash Shkëndijën e tij.

Deri në mbyllje të takimit, CSKA e Sofjes me anë të Tsanev shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Zahov, mirëpo ishte kjo gjithçka që mundën të bëjnë futbollistët bullgar në këtë ndeshje të zhvilluar në tokën bullgare.

Kujtojmë ishte kjo ndeshja e katërt kontrolluese dhe e fundit për Shkëndijën, që i shërbeu kësaj skuadre si provë gjenerale para ndeshjes së raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve kundër skuadrës sllovene të Mura. Ndryshe Shkëndija në këtë fazë përgatitore i nisi kontrollueset me disfatë përballë Prishtinës, për të mundur më pas FC Shkupin (2:0) dhe Laçin (2:1).

Ndeshjen e parë kundër Muras, skuadra e Shkëndijës do ta zhvillojë në Shkup me 6 korrik, ndërsa atë kthyese një javë më pas në tokën sllovene. (infOSport.mk)

Leave a Reply