Danimarka është skuadra e parë çerekfinaliste e EURO 2020. Danezët mposhtën Uellsin me rezultatin 4:0, njofton “infOSport.mk”.
Hero i danezëve doli të jetë sulmuesi Kasper Dolberg, i cili realizoi dy gola, ndërsa fare në fund realizuan edhe Maehle e Braitvajte.
Ndeshja e luajtur në Holandë nisi me një sinjal të dhënë nga Garet Bejll, i cili tentoi të befasonte portierin Shmajhell me një goditje nga jashtë zone. Topi shkoi pranë shtyllës pingule.
Danimarka ishte më konkrete dhe pas 27 minutash lojë arriti edhe të shënonte golin e parë, me anë të Dolberg që godit saktë në hyrje të zonës.
Festë e madhe në stadium dhe jashtë tij në mesin e danezëve, që edhe përkundër se nisën keq këtë europian, në fund fati ju buzëqeshi.
45 minutat e para nuk patën gol tjetër, edhe pse Dolberg e kishte një gjysmë rasti. Sulmuesi gjithsesi nuk fali tre minuta nga nisja e fraksionit të dytë të lojës.
Një prej mbrojtësve të Uellsit i bëri një dhuratë Dolberg, i cili pranë portës goditi fort dhe topi shkoi e u ndal në rrjetë.
2:0 dhe për Danimarkën ishte një gol që u jepte mundësi të merrnin frymë lirshëm.
Uellsi nuk e kishte forcën për të reaguar dhe për ta hapur ndeshjen.
Danimarka me Maehle realizoi në minutën e 89-të edhe të tretin, kurse në shtesë Braitvajte i vuri vulën pasi u pa me VAR pozicioni i tij.
Tani Danimarka pret të mësojë kundërshtarin në çerekfinale, që do të jetë fituesi i çiftit Holandë-Çeki. Kujtojmë danezët e kanë fituar një herë Europianin, në vitin 1992.