Etrit Berisha gati të rikthehet në Serie A, aty ku vite më parë mbronte me mjaft sukses rrjetën e Lacios, por edhe të SPAL së fundmi. Sipas asaj që raportojnë mediat në Itali, Berisha është shumë pranë transferimit te skuadra e Torinos. Gardiani i kombëtares shqiptare është në negociata me drejtuesit e klubit torinez, të cilët kërkojnë një portier të dytë për ekipin e tyre.
Marrëveshja është drejt finalizimit, edhe pse ka disa vështirësi të vogla që kanë lidhje me pagën e tij.
Drejtori sportiv aktual i Torinos është i njëjti që transferoi Berishën dy sezone më parë te SPAL dhe ai pranoi asokohe rrogën prej 1 milionë eurosh të portierit shqiptar.
Tani Berisha kërkon që të ruajë këtë rrogë edhe te Torino, ndërsa në klubin granata kërkojnë që të ulen disi shifrat e marrëveshjes, meqë bëhet fjalë për një kontratë dyvjeçare apo trevjeçare.
Megjithatë, në Itali janë të bindur se shumë shpejt Berisha do veshë fanellën e Torinos.